
Shumë shpesh prindërit i çojnë fëmijët e tyre për ekzaminim në vitin e parë të jetës për shkak të lakimit të syve, zakonisht nga brenda, pra drejt hundës. Por a është gjithmonë strabizmi i vërtetë? Përgjigja është jo.
Strabizmi është një gjendje e çrregullimt të pozicionit ose lëvizshmërisë së syve në të cilën të dy sytë nuk kanë të njëjtin drejtim shikimi. Syri që fikson një objekt qëndron drejtë ndërsa syri tjetër mund të shtrembërohet drejt hundës (ezotropia), nga jashtë (ekzotropia), lart (hipertropia) ose poshtë (hipotropia).




Pseudostrabizmi ose strabizmi i rremë është një gjendje ku sytë duken të shtrembër, zakonisht drejt hundës, por në fakt strabizmi nuk ekziston. Pseudostrabizmi është i zakonshëm tek foshnjat që nga lindja deri në moshën 18 muajshe. Kjo ndodh sepse foshnjat kanë një bazë të gjerë të hundës dhe ndonjëherë një palosje lëkure në kapakun e sipërm (epicanthus) që mbulon pjesën e brendshme të të bardhës (sklera) dhe të jep përshtypjen se sytë janë të kryqëzuar/shtrembëruara drejt hundës. Iluzioni se njëri sy është i shtrembër mund të jetë edhe më i theksuar kur foshnja shikon në njërën anë ose në tjetrën.

Pseudostrabizmi
Është normale të shqetësoheni se fëmija juaj mund të ketë strabizëm. Por si të shohim nëse bëhet fjalë vërtetë për strabizëm?
Një mënyrë e shpejtë dhe e thjeshtë për të zbuluar nëse fëmija juaj ka strabizëm është të shikoni një foto të fëmijës suaj të fotografuar me blic. Në foto, fytyra dhe sytë e fëmijës duhet të drejtohen drejtpërdrejt nga kamera. Shihni se ku reflektohet drita në sytë e fëmijës suaj.
Nëse fëmija ka strabizëm të rremë, drita do të reflektohet në të njëjtin vend në bebëzat e të dy syve, domethënë, refleksi i dritës do të jetë qendror për bebëzat.
Nëse fëmija ka strabizëm të rremë, drita do të reflektohet në të njëjtin vend në bebëzat e të dy syve, domethënë, refleksi i dritës do të jetë qendror për bebëzat. Nëse fëmija ka strabizëm të vërtetë, drita do të reflektohet në një vend të ndryshëm në secilin sy, pra në qendër në bebëzën e syrit me të cilin fiksohet, ndërsa në syrin që shtrembërohet, refleksi i dritës mund të reflektohet në prag të bebëzës, në iris ose në sklera.
Në ekzaminim, i njëjti test mund të bëhet duke vendosur një burim drite përballë fëmijës dhe duke ndjekur refleksin e dritës së bebëzave. Mund të kryhet edhe një test cover/uncover, pra një test i mbulimit dhe zbulimit të syve, i cili monitoron lëvizjen e bulbusit të syrit. Te pseudostrabizmi ky test është i qetë – nuk ka lëvizje të bulbusit, ndërsa te strabizmi vërehet një lëvizje drejt brenda/jashtë ose lart/poshtë.
Çfarë duhet të bëni nëse fëmija juaj ka strabizëm?
Strabizmi i vërtetë ka tendencë të përkeqësohet me kalimin e kohës dhe kërkon trajtim të përshtatshëm (mbajtja e syzeve/korrigjimi operativ). Pseudostrabizmi nuk kërkon trajtim, ai përmirësohet/zhduket me kalimin e kohës ndërsa strukturat kockore të fytyrës dhe hundës formohen me rritjen e foshnjës.
Nëse dyshoni se një ose të dy sytë e fëmijës tuaj shtrembërohen, është më e rëndësishme të bëni një ekzaminim të detajuar oftalmologjik. Strabizmi korrigjohet me mbajtjen e syzeve dhe, nëse është e nevojshme, me operacion për të mundësuar zhvillimin e shikimit normal dhe mprehtësisë së shikimit.