• Si ndikon diabeti te shikimi?

Diabeti ose sëmundja e sheqerit është sëmundje kronike ku ekziston çrregullim i metabolizmit, jo vetëm të sheqernave, por edhe yndyrave dhe proteinave. Ky është shkaku më i shpeshtë i verbërimit dhe zvogëlimit të funksionit pamor të popullatës së aftë për punë në botë. Niveli i lartë i sheqerit në gjak i dëmton enët e mëdha dhe të vogla të gjakut. Pikërisht për këtë, organet më të prekura janë sytë. Rrjedha e sëmundjes te këta pacientë varet, para së gjithash, nga rregullimi i mirë i sheqerit në gjak dhe nga kohëzgjatja e sëmundjes. Nëse mbahet kontroll i mirë i glikemisë, ndryshimet e syve mund të prolongohen. Pacientët me diabet, shpesh ankohen nga lotimi dhe kruarja e shpeshtë e syve. Tek ata shumë shpesh vjen deri te turbullimi i thjerrëzës (katarakti). Ndryshimi më i shpeshtë dhe më serioz i syve është e ashtuquajtura retinopati diabetike.

  • Ç ‘është retinopatia diabetike?

Retinopatia diabetike paraqet dëmtim të mbështjellësit të brendshëm të syrit (retinës), që sjell deri te zvogëlimi i shikimit, e nëse në kohë nuk shërohet mund të sjellë deri te verbërimi. Bëhet fjalë për gjendje serioze të syrit, e cila vazhdimisht duhet të ndiqet, që me kohë të intervenohet. Sëmundja karakterizohet me ekzistim të gjakderdhjeve retinale dhe mikro-aneurizmave, ekzistimin e shtresimeve yndyrore, mikro-infarkteve, kapilarëve të zënë retinalë, ekzistimi i ënjtjes fokale ose difuze dhe paraqitja e enëve të reja të gjakut.

Rrethanë vështirësuese për pacientët është ekzistenca e shtypjes së lartë të gjakut dhe pirja e duhanit. Të gjitha këto ndryshime që paraqiten në sy janë asimptomatike, do të thotë se pacienti nuk ndjen asnjë simptomë, ndërsa sëmundja avancon. Prandaj është me rëndësi te secili pacienti i zbuluar, përveç ekzaminimeve tjera, domosdo të bëhet edhe kontroll i pjesës fundore të syrit. Ne, në spitalin tonë insistojmë në kontroll të tillë.

  • Cilat janë simptomat më të shpeshta?

Kur paraqiten simptomat, gjendja është në stadium më të avancuar. Pacientët më shpesh ankohen nga turbullimi i shikimit, paraqitja e fotografive të lakuara të gjësendeve, paraqitja e mizave në fushën pamore ose humbje e befasishme e shikimit. Gjatë paraqitjes e cilitdo nga këto simptoma është me rëndësi pacientët menjëherë të paraqiten te mjeku oftalmolog. Bëhet kontroll i pjesës fundore të syrit, çdoherë në bebëz të zgjeruar, domosdo me hulumtime plotësuese, si OCT dhe ekografi, që janë të domosdoshme për vlerësimin e trajtimit të mëtutjeshëm.

  • Pse është me rëndësi të zbulohet herët?

Zbulimi i hershëm dhe me kohë i kësaj sëmundje është me rëndësi vendimtare për ruajtjen e mprehtësisë së shikimit. Shpeshherë edhe kur janë ndërmarrë të gjitha trajtimet e mundshme terapeutike dhe operimet, funksioni pamor është shumë i keq dhe pacientët janë të dëshpëruar. Varësisht nga stadiumi i sëmundjes rekomandohet aplikimi i injeksioneve intavitreale, kryerja e laser foto-kuagullimit ose të dyja. Sipas rekomandimeve botërore, në fillim aplikohet anti VEGF, e pastaj nëse ka nevojë, kryhet edhe laser foto-kuagullimi. Kur ekziston gjakderdhje në trupin qelqor rekomandohet intervenim operativ–vitrektomi. Paraprakisht bëhet ekografi që të përcaktohet vallë përveç gjakderdhjes, ekziston edhe shkëputje e retinës dhe ky është indikacion urgjent për intervenim operativ.

  • Si parandalohet zhvillimi i saj?

Që të mos ndodhin këto komplikime të rënda nga diabeti, çdo person me diabet doemos të bëjë kontroll të rregullt të syve së paku njëherë në vit, e nëse ka nevojë edhe më shpesh, krejt varet nga stadiumi i sëmundjes. Domosdo kontrolli të përbëhet nga zgjerimi i bebëzës dhe mbikëqyrje në pjesën fundore të syrit me llupë ose prizëm, e jo vetëm kontroll i shikimit sepse ndryshimet ndoshta tanimë kanë ndodhur edhe pse nuk vërehet dobësim i shikimit.