Специјалист офталмолог

Fushë me interes të veçantë:

  • diagnostikimi i sëmundjeve të syrit
  • diagnostifikimi i kataraktit dhe refraksionit
  • diagnostikimi vitreoretinal

Nga afër me Dr. Irina Nikoloska Petroska

“Empatia dhe mirëkuptimi janë më të rëndësishmet për ndërtimin e përvojave pozitive të pacientit”

  • Sistina Oftalmologija është i vetmi spital privat i syve, i cili ka Qendra Diagnostike në disa qytete të vendit. Ju drejtoni Qendrën Diagnostike në Tetovë. Çfarë do të thotë ky angazhim?

Menaxhimi i Qendrës Diagnostike në Tetovë është një sfidë e madhe profesionale për mua, para së gjithash sepse punoj me një ekip të shquar mjekësor, në të cilin të gjithë kontribuojnë në suksesin e spitalit. Funksionimi i Qendrës Diagnostike në Tetovë, si dhe qendrave të tjera, është në përputhje me filozofinë tonë, sipas së cilës pacientët tanë janë gjithmonë të parët. Në këtë mënyrë, kujdesi mjekësor që ne ofrojmë është afër shtëpisë së pacientit, ne ofrojmë qasje më të lehtë në shërbimet mjekësore dhe rehati më të madhe gjatë trajtimit.

  • Çfarë lloj ekzaminimesh kryhen në Qendrën Diagnostike në Tetovë?

Ne kryejmë lloje të ndryshme të ekzaminimeve oftalmologjike për të rritur dhe fëmijë. Jemi të pajisur me pajisje moderne, të cilat na lejojnë të diagnostikojmë me sukses sëmundjet e syrit dhe t’i trajtojmë ato në mënyrë konservative. Ne kemi Tomografinë e Koherencës Optike (OCT), një teknologji që vizualizon pjesën e pasme të syrit, nervin optik dhe makulën. Në këtë mënyrë, ne kemi një pamje in vivo të gjendjes së këtyre strukturave, si dhe mundësinë e monitorimit të përhershëm të ndryshimeve në këtë pjesë të syrit. Kjo është e rëndësishme, sepse qasjet moderne terapeutike ofrojnë mundësinë për të trajtuar sëmundje dhe gjendje që nuk janë trajtuar deri vonë. Procedurat dhe operacionet më komplekse diagnostikuese kryhen në Oftalmologjinë Sistina në Shkup.

Në Qendrën Diagnostike në Tetovë bëjmë planifikimin dhe përgatitjen për operacione të mundshme, si dhe monitorimin postoperativ. Një parakusht për një trajtim të suksesshëm është komunikimi i përditshëm mes kolegëve. Qëllimi ynë është i përbashkët: pacientë të kënaqur dhe sa më shumë përvoja më pozitive.

  • Ju keni gati dy dekada që punoni në mjekësi, një pjesë në atë primar, një pjesë në kujdesin shëndetësor publik sekondar. A ju ndihmon kjo përvojë më tej në karrierën tuaj dhe në ndërtimin e përvojave pozitive për pacientët?

Ndonjëherë na duhet të dalim nga zona jonë e rehatisë dhe të pranojmë ndryshimet. Është një mënyrë për të përparuar dhe realizuar plotësisht veten. Tani, kam mundësinë të bëj atë që dua në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të gjitha përvojat me pacientët janë të vlefshme për mua. Pavarësisht në cilën fushë të kujdesit shëndetësor, është e rëndësishme përkushtimi i mjekut dhe dëshira për të ndihmuar pacientin. Nga ana tjetër, kur e dini se si funksionojnë segmentet e ndryshme të sistemit shëndetësor, mund ta organizoni më lehtë punën dhe të vlerësoni pritshmëritë e pacientëve. Kushtet e punës dhe shërbimet mund të ndryshojnë, por të kuptuarit e nevojave dhe ndjeshmërisë së pacientit janë parakushti më i rëndësishëm për përvoja pozitive të pacientit.

  • Si i trajtoni pacientët tuaj kur duhet të ju bëni një diagnozë?

Mendoj se qasja holistike në kujdesin mjekësor është më e mira. Pacienti duhet trajtuar si një individ i veçantë dhe duhet kushtuar vëmendje përmasave fizike, psikologjike dhe shpirtërore të sëmundjes së tij. Nevojat dhe pritjet e tij duhet të merren plotësisht parasysh. Për ta arritur këtë, mjeku duhet të tregojë ndjeshmëri dhe mirëkuptim për gjendjen e pacientit. Gjëja më e rëndësishme për mua është të ndërtoj një marrëdhënie besimi me pacientët. Më pas, ata e pranojnë më lehtë sëmundjen, e planifikojmë trajtimin së bashku dhe jemi të sigurt që pacienti do t’i përmbahet.

Marrëdhënia mes pacientit dhe mjekut forcohet, nëpërmjet mbështetjes që mjeku i jep gjatë trajtimit, mënyrës se si i shpjegon dilemat me të cilat përballet dhe mundësisë që pacienti të ndihet rehat dhe i sigurt.

  • Cfarë bëni në kohën e lirë?

Pjesën më të madhe të kohës së lirë e kaloj me familjen. Sigurisht që gjej kohë edhe për kafe me miqtë e mi, për një serial të mirë, një shfaqje teatri apo një koncert rock, sa herë që ka mundësi. Më pëlqen të lexoj shumë dhe lexoj çdo ditë. Thjesht, pushimi më efektiv për mua është të zhytem në një libër të mirë, frymëzues. Më duhet ta pranoj, që edhe pse e adhuroj teknologjinë, i dua librat në formën e tyre origjinale, në letër… kur i ndjej nuhatjen.

  • Mund të na rekomandoni një libër?

Kohët e fundit kam lexuar Haruki Murakami. Më pëlqeu veçanërisht libri i tij – “Për çfarë po flas kur flas për vrapimin” – si një lloj metafore për jetën.
Në të mund të mësoni për këmbënguljen dhe si të krijoni paqen tuaj të brendshme përballë përditshmërisë dinamike.

  • Si kujdeseni për mirëqenien tuaj mendore dhe fizike?

Përveç biçikletës së palëvizshme, për të cilën di të gjej kohë gjatë ditës, nuk jam tip sportiv. Meqenëse jetoj në një qytet të vogël, përpiqem të eci në këmbë në vend që të përdor makinë. Jam shumë e kujdesshme të ha ushqim të ekuilibruar dhe të gatuar në shtëpi, në të cilin mentori im kryesor është burri. Jam e lumtur që fëmijët e mi i kanë pranuar ato zakone të shëndetshme të të ushqyerit. Nuk mendoj se ndjekja e rreptë e protokolleve dhe dietave është shumë efektive. Unë preferoj të dëgjoj nevojat e trupit dhe kështu të vendos ekuilibrin tim.

Mendoj se mirëqenia e mendjes është shumë e rëndësishme dhe e ruaj me qëndrimin tim pozitiv ndaj jetës.