Девојка од близу со страно тело во око.

Gjatë aktiviteteve të përditshme punuese dhe jetësore syri është i ekspozuar në ndikime të ambientit dhe në të mund të hyjnë trupa të ndryshëm të huaj si pluhuri, rëra, miza, flatra të insekteve e deri pjesë të imëta metalike. Kur ka ndonjë trup të huaj, ai mund të ngjitet në korne, konjuktivë ose të “fshehet” nën kapakun e epërm.

Simptomat janë, ndjenja e trupit të huaj, skuqja, lotimi, turbullimi i të pamurit, ndjeshmëria në dritë, shpuarja dhe dhimbja e cila pas çdo lëvizjeje të syrit rritet.

Nëse nuk keni mundësi menjëherë të paraqiteni te oftalmologu juaj, i cili me aparaturë adekuate sigurt do ta mënjanojë trupin e huaj, rekomandimet vijuese do t’ju shërbejnë në situata të paevitueshme.

Çka duhet të bëni:

  • Lani duart me ujë dhe sapun;
  • Provoni ta lani syrin me një curril uji te ngrohtë, me një gotë të vogël të pastër të cilën do ta vendosni në fytyrën tuaj, ashtu që maja do të jetë e vendosur në ashtin rreth syrit;
  • Nëse mbani thjerrëza kontakti, më mirë është t’i hiqni para ose gjatë kohës së pastrimit me ujë. Ndonjëherë trupi i huaj mund të përfundojë edhe nën sipërfaqen e thjerrëzës së kontaktit.

Çka nuk duhet të bëni:

  • Mos u mundoni ta heqni trupin e huaj që është i ngjitur për kornenë;
  • Mos u mundoni ta heqni trupin e huaj që ka depërtuar thellë në sy;
  • Edhe pse do t’ju sfidojë që ta kruani, në asnjë rast nuk guxoni ta kruani sepse mund ta gërvishtni sipërfaqen e syrit.

Përveç lëndimeve sipërfaqësore dhe trupave të huaja, trupat e huaja perforative gjegjësisht trupat e huaja që e tejkalojnë mollëzën e syrit dhe depërtojnë në brendinë e syrit janë shumë më serioze dhe në mënyrë paradoksale kanë më pak dhimbje. Kërkojnë shërim shumë më serioz, më shpesh operativ. Ato janë trupat që lëvizin me shpejtësi të madhe dhe janë nga metali.

Mënyra më e mirë që të pengohet hyrja e trupit të huaj në sy është bartja e syzve mbrojtëse gjatë punës në vende me pluhur dhe erëra, posaçërisht gjatë punës me gdhendje të drurit apo metalit. Syzet mbrojtëse duhet tërësisht të jenë të ngjitura dhe me mburoja anësore. Syzet normale për diell ose ato për dioptri nuk janë mbrojtje e duhur.