Rekomandohet njëherë në vit t’i kontrolloni sytë tuaj, por prapëseprapë më mirë është ta pyesni oftalmologun i cili rregullisht e ndjek gjendjen e shikimit dhe syve Tuaja. Nëse nuk bëni bile një kontroll të syve në vit, sytë tuaj do t’ju tregojnë kur u duhet ndihmë.
Nëse ndjeni se shumë shpesh dhe fuqishëm i fërkoni sytë, i largoni ose i afroni gjësendet që t’i shihni, me siguri është koha ta vizitoni oftalmologun tuaj.

Humbja e aftësisë për t’u fokusuar në detale ndodh te shumica e neve. Pesbiopsia (largpamësia e pleqërisë) paraqitet me moshën, sepse thjerrëza natyrore në sy e humb fleksibilitetin e saj. Por, gjithashtu është e mundur të keni probleme të fshehura me shikimin, të cilat kanë filluar të manifestohen.

Këto janë 5 shenjat të cilat ju tregojnë se ju nevojitet kontrolli i syve:

1. Keni dhimbje të kokës rreth syve

Nëse sytë tuaj tendosen për të fokusuar, ndoshta kjo do t’ju sjellë dhimbje koke. Dhimbjet e kokës në pjesën e parme të kokës rreth ashtit temporal mund t’ju tregojnë se syzet momentale janë tepër të dobëta, ose se ju duhen syze për lexim.

Për çdo dhimbje koke që lidhet me leximin e gjatë, shikimin në kompjuter ose shoqërohet me vështirësi gjatë fokusimit, vizitoni mjekun tuaj të syve. Migrenat okulare, për shembull, krijojnë aura gjegjësisht njolla të ngjyrosura cik-cak ose pika të vogla të shndritshme në shikimin tuaj, të cilat lëvizin nga fusha pamore qendrore drejt periferisë dhe kapsallitin. Më shumë aura mund të zgjasin 20 minuta para se të fillojë dhimbja e kokës.

Dhimbja e kokës e shoqëruar me shikim të turbullt në njërin ose të dy sytë mund të jetë shenjë e ekzistimit të gjendjeve serioze të syve si glaukoma (shtypje rritu e syve) ose neuritisi optik (ndezje e nervit të syrit) dhe doemos menjëherë të diagnostikohet dhe trajtohet.

2. Kapsallitni (i shtrëngoni sytë për të parë) dhe ende nuk fokusoni

Ndryshimet e shikimit mund të tregojnë gjëra të ndryshme. Për fëmijën vështirësia gjatë leximit në tabelë shpesh tregon se ka filluar të zhvillohet miopia. Për të rriturit, vështirësia gjatë shikimit të shenjave rrugore mund të jetë shenjë se duhet të jepet recetë e re për syze nga larg ose ka ndryshime të shëndetit të syve.

Çdoherë kur do të vëreni se shikimi juaj është ndryshuar, me rëndësi është të bëni kontroll, që të jeni të sigurt se keni sy të shëndoshë. Ndoshta nuk është asgjë serioze ose e rrezikshme, por vetëm me kontroll oftalmologjik do ta mësojmë këtë.

3. Sytë i keni të tharë

Ndryshimet që ndodhin me moshën, kuptohet i prekin edhe sytë. Një nga ndryshimet më shpesh të neglizhuara është ai në filmin e lotëve i cili shërben për t’i njomur dhe mbrojtur sytë nga ndikimet e jashtme. Tharja e syve mund të jetë rezultat i mungesës së lotëve, ose ndryshimit në përbërjen e lotëve. Manifestohet me ndjenjë të trupit të huaj në sy, rërës, ndonjëherë edhe dhimbjes shpuese, shikimit të turbulluar e deri te lotimi refleksiv paradoksal.

Ekzistimi i dioptrisë që nuk është e rregulluar me aksesorë të syve (syze, thjerrëza kontakti) është problem i cili krijon vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme por nuk i dëmton sytë. Skuqja ose ndonjë sekret në sy, çfarëdo lloj dhimbjeje ose humbje e papritur e shikimit – duhet menjëherë të diagnostikohet dhe trajtohet.

4. Vështirë shihnin në mbrëmje

Nëse në mbrëmje e keni më vështirë se zakonisht për të parë shenjat e rrugëve, kjo mund të jetë tregues se largpamësia juaj përkeqësohet në errësirë. Nëse sytë ju irritohen me afrimin e dritave nga automobilat ose ju pengon drita e bardhë e ekranit të kompjuterit, mund t’ju ndihmojnë syzet për mbrojtje nga drita e bardhë, të cilat kanë filtër blu.

Nëse pakëndshmëria nga shkëlqimet vazhdon edhe me syzet speciale, ajo mund të tregojë për paraqitjen e kataraktit – posaçërisht te pacientët më të vjetër se 50 vjet.

Kur katarakti fillon të ndikojë në cilësinë e jetës, mjeku juaj mund të propozojë operim për heqjen e thjerrëzës natyrore të turbulluar dhe ta zëvendësojë me thjerrëz intraokulare, e cila do t’jua zëvendësojë syzet.

5. Nuk ju kujtohet kontrolli juaj i fundit te mjeku i syve

Mendimet e mjekëve të syve në botë më shpesh janë të ndryshme në lidhje me vazhdimësinë, gjegjësisht sa shpesh duhet të bëni kontrolle të syve. Më mirë për këtë do t’ju tregojë oftalmologu juaj në bazë të gjendjes suaj.

Shkuarja te mjeku i syve jo çdoherë do të thotë se doemos t’jua zgjerojnë bebëzat tuaja, por kjo është e vetmja mënyrë për t’u kontrolluar edhe pjesa e pasme syve (retina) që të jeni të sigurt se sytë tuaj janë të shëndoshë dhe pa probleme.

Disa përjashtime të caktuara prapëseprapë ekzistojnë. Mjekët pajtohen se fëmijët duhet të bëjnë kontrolle çdo vit dhe e njëjta vlen edhe për personat me sëmundje të syve tanimë të diagnostikuar ose sëmundje sistematike e cila ndikon te shikimi. (si për shembull diabeti)

Ne rekomandojmë të bëhet kontroll i syve minimum njëherë në vit, pavarësisht a keni problem të syve ose jo. Kontrollet e rregullta janë masa mbrojtëse, pasi që ekzistojnë disa sëmundje të cilat paraqiten pa ndryshim të shikimit dhe pa dhimbje.